Nën organizimin e Ministrisë së Çështjeve Evropiane, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dhe Shtëpisë Evropiane, dhe me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian përmes projektit EU4ME, sot në Podgoricë u festua Dita Evropiane e Gjuhëve.
Evenimenti u hap nga ministret, Maida Gorçeviq dhe Angjella Jakshiq-Stojanoviq, si dhe ambasadori i BE-së Johan Satler.
Ministrja Gorçeviq tha se Dita Evropiane e Gjuhëve festohet në mbarë Evropën me qëllim të promovimit të pasurisë së gjuhëve dhe kulturave evropiane. Ajo kujtoi se në Evropë ka rreth 220 gjuhë amtare dhe se në Bashkimin Evropian ka 24 gjuhë zyrtare.
Gorçeviq tha se në momentin që Mali i Zi do të bëhet anëtar i BE-së, gjuha malazeze bëhet gjuha zyrtare e Bashkimit Evropian dhe fëmijët bëhen qytetarë të plotë të BE-së me të gjitha mundësitë për të mësuar, studiuar, udhëtuar, si gjithë të tjerët që jetojnë në BE-së.
Ministrja Jakshiq-Stojanoviq tha se është përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit t’u sigurojë të rinjve qasje në pasurinë e gjuhëve, jo vetëm për të fituar aftësi për tregun e punës, por edhe për t’u bërë qytetarë të botës të hapur ndaj njohurive dhe perspektivave të reja.
Ambasadori Satler i ftoi fëmijët të vazhdojnë të mësojnë, eksplorojnë dhe shijojnë bukurinë e gjuhëve përreth nesh.
“Duke festuar diversitetin gjuhësor, ne festojmë edhe diversitetin kulturor. Çdo gjuhë që flasim ose mësojmë na çon në një kuptim më të afërt të vlerave, muzikës, ushqimit dhe historive të njerëzve të tjerë. Na tregon se, megjithëse të gjithë jemi unikë, jemi gjithashtu pjesë e një familjeje më të madhe dhe të përbashkët evropiane. Kjo është arsyeja pse BE-ja është fuqimisht e përkushtuar për të promovuar shumëgjuhësinë”, tha ambasadori.