SPIROPALI: INSTITUCIONET E PAVARURA, INSTRUMENTE TË RËNDËSISHME NË FUNKSIONIMIN E SHTETIT TË SË DREJTËS

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një takim me drejtues të institucioneve të pavarura të Shqipërisë.

Në fokus të takimit të mbajtur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë ishin çështjet e bashkëpunimit të Kuvendit me institucionet e pavarura dhe problematikat e këtyre institucioneve.

Në hapje të takimit, Spiropali theksoi se institucionet e pavarura janë instrumente jashtëzakonisht të rëndësishme në funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Bashkëpunimi reciprok me ju e kam konsideruar si një nga prioritetet më themelore të punës time si kryetare e Kuvendit. Baza e krijuar nga tradita është e mirë. Ekziston një vullnet i fortë politik që bashkëpunimi ynë të ngrihet në një nivel cilësisht më të lartë”, u shpreh ajo.

Ajo tha se dinamika e zhvillimeve dhe e detyrimeve të proceseve integruese krijon nevojën për një sinergji me të shpeshtë ndërveprimi midis Kuvendit dhe institucioneve të pavarura përtej raportimit periodik vjetor.

Kryeparlamentarja Spiropali u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë ka një rol udhëheqës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Spiropali gjithashtu theksoi se e kupton bashkëpunimin e Kuvendit me institucionet e pavarura si një mbështetje të Kuvendit në plotësimin sa më mirë të misionit dhe objektivave kushtetuese të këtyre institucioneve.

Fjalë përshëndetëse në takim mbajtën edhe përfaqësues të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe Ambasadës së Britanisë në Tiranë, ndërkohë disa nga drejtuesit e institucioneve folën mbi aspektet e bashkëpunimit të tyre me Kuvendin dhe çështje të tjera.

Pjesë e takimit ishin drejtues të Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bankës Qendrore të Shqipërisë, Autoritetit të Mediave Audiovizive, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe institucioneve të tjera.

SHARE