DUKAJ: FORUMI SHQIPTAR PËR MOMENTIN MBETET NË QEVERI PAVARËSISHT MOSMARRËVESHJEVE

Ministri i Administratës Publike dhe funksionar i Forumit Shqiptar Marash Dukaj tha se Forumi Shqiptar për momentin mbetet në Qeveri, por se ky nuk është vendimi përfundimtar i tyre.

Ai në emisionin “Ngjyrat e mëngjesit” në TV Vijesti tha se nuk janë konsultuar para se në rendin e ditës të seancës të ishte edhe çështja e dhënies së lejes komunës së Beranës për ngritjen e memorialit për ish-Mitropolitin e Malit të Zi Amfillohije, pikë e rendit të ditës kjo që u braktis nga ministrat dhe nënkryetarët e Qeverisë nga partitë pakicë.

“Mendoj se kemi thënë qartë dhe saktë dhe i kemi njoftuar mediat, për sa i përket këtij vendimi të Qeverisë. Sigurisht që situatën do ta shqyrtojmë mëtutje, por më duhet të theksoj faktin se si partnerë koalicioni, si mazhorancë që mbështesim këtë qeveri, jemi nënshkrues të një marrëveshjeje ku thuhet se fillimisht duhet të bien dakord për temat që na ndajnë. Kjo temë, e cila u vu në rend dite ad hoc, nuk u konsultua fare me partnerët. Kështu që, ishim të surprizuar pak dhe menduam që konkretisht kryesuesi i seancës (Alleksa Beçiq) do të mendoj pak më shumë për atë vendim, për faktin se tetë ministra nga partitë e pakicave, dy prej tyre nënkryetarë të Qeverisë, u larguan nga seanca.  Të gjithë e dimë që këta ministra mbështeten nga 10 deputetë. Forumi Shqiptar do të jetë aty për sa kohë që do të respektohet. Ky vendim nuk është në përputhje me marrëveshjen tonë, por vendimi përfundimtar do të merret nga Forumi Shqiptar në mbledhjen e radhës për një javë ose më parë”, tha Dukaj.

SHARE