SPAJIQ: MALI I ZI NË BE NË 2028, AGJENDA E REFORMËS JAVËN E ARDHSHME

Mali i Zi është i gatshëm të përmbushë qëllimet e Planit të Rritjes dhe kështu të përfundojë me sukses fazën përfundimtare të negociatave dhe të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian, tha kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq pas një drekë pune të organizuar për liderët e Ballkanit Perëndimor nga BE-ja.

“Kemi pasur një takim jashtëzakonisht miqësor me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këtu nuk ka konkurrencë, por u theksua se Mali i Zi ka arritur rezultate të rëndësishme dhe se mund të jetë shembull për të gjithë”, theksoi kryeministri Spajiq dhe shtoi:

“Agjenda e reformës do të jetë e rëndësisë më të madhe për ne në periudhën e ardhshme, sepse qëllimi kryesor i Planit të Rritjes përkon plotësisht me përpjekjen tonë për të përmirësuar standardin e qytetarëve. Nëpërmjet këtij instrumenti të Komisionit Evropian duhet të dyfishohet rritja ekonomike e Malit të Zi dhe vendeve të rajonit, gjë që do të përshpejtojë konvergjencën ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin me vendet e Bashkimit Evropian dhe më e rëndësishmja do të përmirësojë standardin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve tanë”, tha ai.

Mali i Zi është vendi i parë në rajon që përgatiti Agjendën e Reformës dhe i pari që e dorëzoi këtë dokument gjithëpërfshirës dhe ambicioz në Komisionin Evropian, i cili që në fillim e vlerësoi atë si më të pjekurin.

“Ne iu afruam me shumë përgjegjësi krijimit të agjendës, për të shfrytëzuar siç duhet të gjitha përfitimet dhe stimujt që ofron ky instrument. Pas konsultimeve të rregullta me Komisionin Evropian, arritëm në agjendën përfundimtare të reformave, të cilën do ta miratojmë në seancën e ardhshme të Qeverisë, në mënyrë që të jemi të gatshëm të fillojmë reformat menjëherë dhe të hedhim një hap vendimtar drejt anëtarësimit të plotë në BE, që është ëndrra e shumicës dërrmuese të qytetarëve tanë. Mali i Zi dëshiron të bëhet anëtari i 28-të në vitin 2028. Duhet të mbajmë një ritëm intensiv pune dhe të vazhdojmë të zbatojmë të gjitha reformat”, u shpreh kryeministri.

Spajiq konkludoi se Mali i Zi është në një pozicion të përsosur për të qenë anëtari i parë dhe i ardhshëm i BE-së, sepse ka dinamikë të jashtëzakonshme në rrugën drejt BE-së, është i përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, është plotësisht në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe është një anëtare e besueshme e NATO-s”.

SHARE