Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq nesër do të marrë pjesë në një drekë pune të organizuar nga presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, në Bruksel për liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Zëdhënësja e KE-së Ana Pisonero Hernandez tha se në takim do të shqyrtohen marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me vendet e rajonit në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Komisioni aktualisht është duke përfunduar vlerësimin e agjendave të reformave të paraqitura nga partnerët nga Ballkani Perëndimor. Këto janë programe reformash që mbulojnë si aspektet socio-ekonomike ashtu edhe fushën e të drejtave themelore. Kur të përfundojmë atë vlerësim, ne do të konsultohemi me shtetet anëtare në komitetin e ardhshëm të IPA-s. Pas vendimit pozitiv të bordit të IPA-s, Komisioni do të miratojë agjendën e reformës”, tha Pisonero.
Komisioni Evropian nuk ka mundur të shpallë kornizën e saktë kohore se kur priten pagesat e para nga ai mekanizëm.
“Përpara pagesave të para, KE do të lidhte edhe kontrata për përfitime dhe kredi me secilin nga përfituesit. Sa i përket kohës kur do të fillojnë pagesat e para, padyshim që duhet të ndodhë sa më shpejt, por nuk mund të jemi më konkret në këtë fazë”, tha Pisonero.
Përveç kryeministrit Spajiq, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës Borjana Kristo, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq janë të thirrur të marrin pjesë në takim.