DUKAJ: FORCIM I BASHKËPUNIMIT NDËRMJET AUTORITETEVE VENDORE DHE SEKTORIT TË OJQ-ve NËPËRMJET PROGRAMIT RELOAD

Konferenca rajonale ReLOaD kushtuar forcimit të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile mblodhi në Podgoricë më shumë se njëqind përfaqësues të vetëqeverisjeve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor, si dhe përfaqësues të ministrive dhe të Bashkimit Evropian.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, tha se duhet shfrytëzuar kapacitetet e organizatave joqeveritare, sepse vetëm kështu mund të bëhemi shoqëri që i përket Bashkimit Evropian.

„Ekspertiza e tyre mund të ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme organet e qeverisjes vendore që të zhvillojnë politika adekuate vendore, në kënaqësi të qytetarëve. Prandaj ky është një rast për të falënderuar Bashkimin Evropian për inkurajimin e praktikave të mira me veprimet e tij konkrete, si dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale për pjesëmarrjen e tyre aktive në këtë projekt”, tha Dukaj.

Programi ReLOaD2, i financuar nga Bashkimi Evropian me 12.63 milionë euro, i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përfshin 62 qeverisje vendore në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Në katër vitet e fundit janë zbatuar më shumë se 470 projekte të OJQ-ve.

Shefi i Departamentit për Bashkëpunim në Delegacionin e BE-së, Ingve Engström shtoi se ky është një proces afatgjatë në lidhje me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendën e Reformës.

„Kriteret transparente për përdorimin e fondeve publike do të forcojnë partneritetet midis shoqërisë civile dhe autoriteteve lokale në nivel lokal dhe do të përmirësojnë cilësinë e reformave të nevojshme për procesin e anëtarësimit në BE, dhe ReLOaD ka bërë rezultate mbresëlënëse në këtë drejtim.“

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Mal të Zi, Ekaterina Panikllova, iu referua rëndësisë së të rinjve të fuqizuar dhe të informuar për komunitete të forta lokale, duke pasur parasysh se gjithnjë e më shumë të rinj e shohin veten jashtë vendit.

„ReLOaD ka krijuar shumë praktika të mira dhe shembuj të përfshirjes së të rinjve,“ tha Panikllova.

SHARE