MOSPAJTIME PËR TEMAT E DISKUTIMIT: BISLIMI E PETKOVIQ NUK TAKOHEN NË BRUKSEL

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili duket se nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh me të martën në Bruksel.

Bislimi u takua dy herë me Lajçakun të martën paradite dhe më pas tha për gazetarët se një takim trepalësh me Petkoviqin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por, u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, tha Bislimi.

Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.

Por, kryenegociatori serb, Petkoviq, e akuzoi Bislimin se nuk pranoi të takohet me përfaqësuesit e Beogradit për shkak të insistimit të tij në tema si Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Çfarë normalizimi është ky, nëse ju nuk dëshironi të flisni për çështjen kyç siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Një çështje kyç është gjithashtu edhe se si po jetojnë serbët në Kosovë”, tha Petkoviq.

Ai konfirmoi se i ka dorëzuar të Lajçakut një listë të serbëve të arrestuar të cilët, sipas Petkoviqit, janë “të burgosur politikë”.

Petkoviq tha se në takim dypalësh me Lajçakun bisedoi edhe për kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e kësaj të fundit, gjë që është mirëpritur ditë më parë nga blloku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i hodhi poshtë si “jopaqësore” dhe pjesë të një “fushate agresive për konflikte të reja” kërkesat e presidentit të Serbisë.

SHARE