Italia do të jetë promotore e madhe e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe mbështetje e plotë për Malin e Zi në rrugën integruese, por edhe partner ekonomik, është vlerësuar në takimin e kryeministrit Millojko Spajiq me zëvendëskryeministrin e Italisë Antonio Tajani.
Të dy vendet kanë marrëdhënie historikisht të mira dypalëshe, por në një moment vendimtar për Malin e Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian, Italia do të ofrojë mbështetje edhe më të fortë.
„Mesazhi është shumë i qartë. Për Italinë, hyrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është një prioritet politik dhe ne jemi të gatshëm t’i japim mbështetje të plotë integrimit tuaj evropian. Ne besojmë se është e mundur që Mali i Zi të hyjë në BE në vitin 2028 dhe se kjo është koha e përsosur. Ne do të promovojmë idenë e zgjerimit dhe do të ndihmojmë në çdo mënyrë,“ tha Tajani.
Kryeministri Spajiq theksoi se për shkak të afërsisë historike dhe ngjashmërive kulturore, Italia, e cila do të kryesojë Bashkimin Evropian në gjysmën e parë të vitit 2028, është një nga partnerët më të rëndësishëm të Malit të Zi.
Me mbështetje në aspektin e integrimit, forcimit të administratës, luftës kundër krimit dhe korrupsionit (bashkëpunimi me Guardia di Finanza tashmë ka filluar), në takim u theksua veçanërisht hapësira për forcimin e lidhjeve ekonomike.
„Ne duam një bashkëpunim ekonomik shumë më të fortë dhe mendoj se ka shumë hapësirë për ta përmirësuar atë. Lidhja energjetike e krijuar nga kablloja nëndetëse është një bazë e shkëlqyer për zhvillimin e bashkëpunimit në atë fushë. Ekziston edhe një mundësi e madhe për veprim të përbashkët në projekte të mëdha infrastrukturore, të cilat kanë filluar të punohen në Mal të Zi. Fushat që sjellin hapësirë për bashkëpunim janë turizmi dhe bujqësia dhe përvoja dhe njohuritë e kompanive të vogla dhe të mesme italiane mund të kenë ndikim kyç në zhvillimin e kompanive tona,“ tha kryeministri i Malit të Zi.
Po ashtu, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, priti në takim zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani.
Në takim, u vunë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore mes dy vendeve, të karakterizuara nga miqësia tradicionale dhe dialogu i vazhdueshëm politik në nivelin më të lartë.