NGA TETORI, FLUTURIME DIREKTE NDËRMJET PODGORICËS DHE TEL AVIVIT

Fluturimet direkte ndërmjet Podgoricës dhe Tel Avivit do të vendosen nga tetori, njoftoi konsulli i nderit i Malit të Zi në Izrael, Nimrod Rinot.

Siç u tha, kjo u mundësua me ndihmën dhe përpjekjet e përbashkëta të Konsullatës së Nderit të Malit të Zi, Qeverisë së Malit të Zi dhe kompanisë ajrore izraelite EL AL.

“Duke filluar nga tetori 2024, kompania e linjës ajrore EL AL Sundor do të organizojë fluturime direkte Tel Aviv-Podgoricë-Tel Aviv. Kjo është një mundësi e madhe për të promovuar sezonin e dimrit, Podgoricën si kryeqytet, si dhe qendrat e skijimit në veri të Malit të Zi”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu tregon se ky vit është sërish një vit rekord për numrin e turistëve izraelitë. Deri në fund të vitit 2024 pritet që më shumë se 130 mijë izraelitë të vizitojnë Malin e Zi, thotë Rinot dhe thekson se ky është numri më i madh pas turistëve nga Serbia.

“Ne premtojmë se me përpjekje të përbashkëta do të arrijmë ta bëjmë vitin 2025 edhe më të vizituar kur bëhet fjalë për turistët izraelitë”, theksoi Rinot në një deklaratë për shtyp të shpërndarë në media nga komuniteti hebre në Mal të Zi.

Sipas orarit të fluturimeve, fluturimet do të kryhen nga data 27 tetor deri më 29 mars të vitit pasardhës, dy herë në javë, të dielave dhe të enjteve.

SHARE