Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, i cili gjendet për vizitën në Kosovë, tha se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Pas takimit me homologen e tij, Donika Gërvalla-Schwarz, të dy kryediplomatët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Duke folur për vizitën e tij në vend, Fidan tha se “kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, por edhe vëllezërit tanë”.
Kryediplomati turk gjithashtu foli edhe rreth mbështetjes që Türkiye i jep Kosovës.
“Ne e kemi mbështetur gjithmonë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë ta mbështesim”, tha Fidan.
Ministrja Gërvalla theksoi se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Türkiyes janë të bazuara në miqësi të gjatë dhe bashkëpunim të ngushtë. Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Gërvalla tha se bashkëpunimi midis Kosovës dhe Türkiyes është i një rëndësie të veçantë.
“Investimet turke përgjatë viteve kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës duke krijuar vende pune dhe duke përmirësuar dukshëm infrastrukturën. Marrëdhëniet tona ekonomike janë të forta dhe të ndërsjella dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për thellimin e tyre”, tha Gërvalla.
Pjesë e diskutimeve me ministrin Fidan, Gërvalla tha se ishin edhe çështjet e sigurisë në rajon, në një kohë kur rajoni përballet me sfida të mëdha “veçanërisht nga ndikimi destabilizues dhe kërcënues i Serbisë ndaj Kosovës”.
“Roli i Türkiyes dhe NATO-s është i rëndësishëm për garantimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin tonë. Kosova mbetet e përkushtuar për partneritetin e saj me NATO-n dhe për forcimin e pranisë së saj në vendin tonë, si një garanci për mbrojtjen e paqes në rajon. Në këtë kontekst, ne e shohim Serbinë si një rrezik real për stabilitetin rajonal”, theksoi Gërvalla.