DEPUTETËT SËRISH MIRATUAN NDRYSHIMET NË LIGJIN E PËRGJITHSHËM PËR ARSIM

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi sot sërish miratuan Ligjin për ndryshimin e Ligjit të Përgjithshëm për Arsim, të cilin presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e ktheu në Kuvend për rivendim.

Për këtë Ligj, votuan 46 deputetë, 45 pro, një kundër, dhe nuk pati asnjë abstenim.

Kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq tha se presidenti i vendit tani do të duhet ta nënshkruajë Ligjin sepse siç thotë ai është obligim i tij kushtetues.

Deputetja Radinka Qinqur ka njoftuar se ditë pas dite miratojnë Ligjet që presidenti i ka kthyer, pa u përpjekur t’i rregullojnë të njëjtat.

“Ky ligj sipas opinionit profesional është një hap mbrapa. Në vend që të ndihmojmë bordet e shkollave t’i kërkojnë llogari njerëzve që shkelin Ligjin, ne po ndryshojmë Ligjin. Me fjalë të tjera, po i kthehemi një zgjidhjeje që të gjithë e kemi përjetuar se nuk ishte e mirë”, tha ajo.

Së shpejti, shton ajo, do të vijë radha e Ligjit për Bankën Zhvillimore, për të cilin Komisioni Evropian tha se nuk do të ishte mirë të miratohet në këtë formë.

“Shpresoj se do ta kuptojmë dhe do ta zgjidhim,” tha ajo.

Ajo bëri thirrje që sot të tërhiqet nga rendi i ditës Ligji për ndryshimin e Ligjit të Përgjithshëm për Arsim.

„Dhe të presim qëndrimin e grupit punues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dhe të jetë një Ligj i plotë, jo vetëm një Ligj për zgjedhjen e drejtorëve”, tha ajo.

SHARE