MALI I ZI DUHET TË SHFRYTËZOJË MOMENTIN PËR T’U BËRË ANËTARI I PARË I ARDHSHËM I BE-së

Politika e zgjerimit mbetet e lartë në agjendën e Bashkimit Evropian (BE) dhe është e nevojshme që të gjithë aktorët social të bëjnë përpjekje në rrugën evropiane në mënyrë që Mali i Zi të përmbushë detyrimet e tij nga procesi i negociatave dhe të bëhet anëtari i radhës, theksoi ambasadori i sapoemëruar i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler.

Ai sot është takuar me presidentin e vendit, Jakov Millatoviq.

Me atë rast, Millatoviq e përgëzoi Sattler për marrjen e detyrës dhe i uroi suksese në punën e tij, duke theksuar se te Presidenti do të ketë gjithmonë një partner të hapur dhe konstruktiv.

Millatoviq shprehu besimin se me ardhjen e ambasadorit të ri do të forcojmë më tej lidhjet tona dhe do të përshpejtojmë proceset reformuese që janë vendimtare për përparimin e vendit tonë.

Ai theksoi se Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj synimit për t’u bërë anëtar i plotë i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.

Në këtë drejtim, ai tha se pas marrjes së IBAR-it, nevojitet përfshirja shtesë e vendimmarrësve, për të vazhduar me zbatimin e reformave thelbësore.

“Jam i nderuar të përfaqësoj Bashkimin Evropian në një vend kaq të jashtëzakonshëm. Ekipi im dhe unë do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ndihmuar Malin e Zi të përfitojë nga kjo mundësi historike dhe të bëjë përparim vendimtar në rrugën e tij drejt BE-së”, tha ambasadori i BE-së.

Presidenti i vendit tha se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ka një rëndësi të madhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, duke vlerësuar se kjo së bashku me vlerat evropiane është thelbi i hyrjes sonë në BE.

Ai përkujtoi se kjo kërkon reforma të rëndësishme të administratës, të cilat kanë munguar në periudhën paraprake.

SHARE