Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë publike rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë, ku sipas tyre Kosova ka 1 milionë e 586 mijë e 659 banorë, ndryshe nga numërimi paraprak i vitit 2011 kur Kosova kishte 1 milionë e 739 mijë e 825 banorë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e publikimit të statistikave, tha se ato janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Kurti tha se edhe personalisht në një periudhë të shkurtër kohore ka ofruar mbështetje për ASK-në në procesin e numërimit të popullsisë.
“Pa të dhëna të sakta, pa statistika edhe vendimet do të jenë jo të sakta. Në demokraci marrja e vendimeve politike është shumë me rëndësi të mëdha. Unë jam krenar si kryeministër për përkushtimin dhe angazhimin e atyre që morën pjesë në këtë proces”, tha Kurti.
Deri më tani janë regjistruar edhe 600 mijë banorë jorezidentë, ndërsa mundësia për t’u regjistruar është e hapur për diasporën kosovare, deri më 31 gusht.
Sipas të dhënave të numërimit të popullsisë, raporti gjinor nuk ka ndryshime nga numërimi i vitit 2011 ku femra janë 49,90 për qind ndërsa meshkuj 50,10 për qind.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati tha se nga viti 2011 deri në vitin 2023 ka shtim natyror të popullsisë prej 200 mijë banorëve, megjithëse shifrat përfundimtare tregojnë ulje të popullsisë rezidente në Kosovë.
“Rezultatet përfundimtare nuk pritet të ndryshojnë shumë nga ato paraprake. Në 4 komunat veriore të Kosovës, pati bojkotim në pjesë të madhe, sidoqoftë ka një pjesëmarrje të qytetarëve. Cilësia e të dhënave është më e lartë në krahasim me regjistrimin e kaluar. Teknologjia na mundësi monitorimin dhe publikimin e këtyre të dhënave”, tha Kastrati.
Ai tha se vetëm në 9 prej 38 komunave ka rritje të numrit të banorëve rezidentë, ndërsa në 29 të tjera kishte ulje.
Sipas të dhënave preliminare, mosha mesatare e popullsisë në Kosovë është 34,82 vjet.
Dendësia e popullsisë sipas ASK-së është 145,5 banorë në një kilometër katror, ndërsa komunat me dendësi më të madhe janë Fushë-Kosova 762 banorë në një kilometër katror, Mamusha me 513 banorë dhe Prishtina 434 banorë në një kilometër katror. Numri mesatar i anëtarëve në një ekonomi familjare në vitin 2024 sipas ASK-së është 4,5 banorë.
Rezultatet përfundimtare të procesit të numërimit të popullsisë në Kosovë, që filloi më 5 prill dhe zgjati deri më 24 maj do të publikohen në dhjetor të këtij viti.