Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e mirëpriti marrëveshjen e re për përkrahjen afatgjate të Ukrainës, e cila u finalizua në samitin e NATO-s në Uashington këtë javë, duke e cilësuar si “arritje të rëndësishme” për Kievin dhe të tjerët.
Ai e lavdëroi lidershipin amerikan për “veprimet e tyre vendimtare” për të garantuar siguri për Ukrainën.
Përmes marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe mbi 20 vende të tjera u zotuan se do të ndihmojnë për ta mbrojtur Ukrainën.
Marrëveshja u prezantua nga presidenti amerikan, Joe Biden, në një konferencë për media përkrah liderëve të tjerë të NATO-s dhe Zelenskyt, në përfundim të samitit më 11 korrik.
“Kjo marrëveshje ukrainase, të cilën ne po e finalizojmë, i çon marrëdhëniet tona në një nivel të ri. Kjo është një arritje e madhe për Ukrainën dhe për të gjithë ne”, tha Zelensky.
“E falënderoj presidentin Biden për lidershipin e tij dhe përpjekjet për t’u siguruar që bashkëpunimi ynë për sigurinë të jetë plot veprime vendimtare”, theksoi Zelensky.
Ai tha se marrëveshja e ka ndihmuar Kievin të marrë sisteme tejet të rëndësishme të mbrojtjes ajrore, për ta ndihmuar ta luftojë pushtimin tashmë mbi dyvjeçar rus.
Njëzet e katër liderë të NATO-s dhe Ukraina e miratuan marrëveshjen në kuadër të përforcimit të mbrojtjes së Ukrainës dhe përkushtimeve të tjera. Liderët u zotuan gjithashtu për t’u takuar “shpejt dhe bashkërisht” në nivel të lartë, në rast të ndonjë sulmi nga Rusia kundër Ukrainës në të ardhmen, pas përfundimit të konfliktit të tanishëm.
Bideni e ka quajtur marrëveshjen “pjesë qendrore” e një “ure” në rrugën e Ukrainës drejt NATO-s.
“Sot këtu, me të gjithë këta njerëz të rëndësishëm mbrapa meje, ne po e ndërmarrim një hap tjetër të rëndësishëm në mbështetjen tonë të përbashkët për Ukrainën”, tha Biden.
“Vitin e kaluar, vendet e G7-ës… nënshkruan një deklaratë për ta mbrojtur Ukrainën për kohë të gjatë, jo vetëm gjatë kësaj luftës, por edhe më pas, pasi të ketë fituar ajo. Edhe 25 vende të tjera iu bashkuan atyre shpejt dhe u zotuan për të negociuar dhe për të nënshkruar marrëveshje dypalëshe të sigurisë me Ukrainën”, shtoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në samit se aleanca po “i vë gur themelet për triumfin e Ukrainës” në përpjekjet e saj për ta mbrojtur veten kundër Rusisë dhe se aleanca “nuk mund dhe nuk do ta lejojë të ndodhë një gjë e tillë përsëri”.