Seanca e Qeverisë së Malit të Zi filloi sot me një minutë heshtje për viktimat e Srebrenicës, me sugjerim të zëvendëskryeministrit për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj.
“Sot, me kërkesën dhe sugjerimin tim, kryesuesi hapi seancën e 40-të të Qeverisë së Malit të Zi me një minutë heshtje për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë”, tha Gjeloshaj.
Bosnja e Hercegovina sot shënon 29-vjetorin e gjenocidit të Serbisë në Srebrenicë.
Masakra që ndodhi atje më 11 korrik 1995, është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Para gati tre dekadave, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Më 23 maj, Asambleja Parlamentare e OKB-së, e ka miratuar rezolutën që njeh gjenocidin në Srebrenicë.
Përmes kësaj rezolute, 11 korriku njihet zyrtarisht si Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.