SERBIA KËRKON SHBA NË DIALOG? MË SHUMË PËRFSHIRJE QË TË ZGJIDHIM ÇËSHTJET ME KOSOVËN

Në procesin tashmë mbi një dekadësh të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës të ndërmjetësuar nga BE-ka, Serbia kërkon përfshirje më të madhe të SHBA-së.

Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuric njoftoi se ka diskutuar me Sekretarin amerikan të Shtetit Anthony Blinken në Washington, në margjinat e Samitit të NATO-s dhe se e ka ftuar atë të vizitojë Beogradin.

Në një deklaratë për shtyp në pritjen për gazetarët serbë në Ambasadën e Serbisë në Washington, Gjuric citohet të ketë thënë se dialogu në nivelin më të lartë politik me SHBA-të është i nevojshëm si për vazhdimin e bashkëpunimit ekonomik ashtu edhe për zgjidhjen e çështjeve për të cilat tha se “nuk pajtohemi, siç është çështja e statusit të Kosovës”.

“Ne kemi nevojë për një dialog në nivelin më të lartë politik me SHBA-në, jo vetëm për të vazhduar rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë sonë, sepse Amerika është partneri numër një për sa i përket shërbimeve, dhe pikërisht në fushat që lidhen me teknologjitë e larta dhe atë që është motori i zhvillimit të ekonomisë sonë, por ky bashkëpunim na duhet edhe për t’i zgjidhur ato çështje për të cilat nuk pajtohemi, siç është çështja e statusit të Kosovës, por që nuk mund të zgjidhet në mënyrë pozitive pa angazhimin aktiv të nivelit më të lartë politik në SHBA”, është shprehur ai, i cituar nga mediat në Beograd.

Gjuric insistoi se Serbisë në Samitin e NATO-s nuk do të thotë ndryshim i kursit të përcaktuar, por shtoi se kjo tregon që “vendi i tij po i forcon miqësitë, forcimin e partneriteteve dhe forcimin e pozicionit të saj në këtë pjesë të botës”.

I pyetur sakaq nëse ndaj këtij fakti ka pasur një reagim nga ana e aleates historike Rusisë, ai shtoi se Serbia është atje si një vend i pavarur, ushtarakisht neutral, partner i Aleancës dhe një anëtar i programit të Partneritetit për Paqe.

SHARE