Deputetët e mazhorancës në Kuvend refuzuan të mbështesin rritjen e shtesave të fëmijëve dhe pensioneve proporcionale.
“Është e pabesueshme që deputetët e mazhorancës parlamentare: Lëvizja „Evropa Tani“, Demokracia e re serbe, Partia Popullore Demokratike e Malit të Zi, Demokratët dhe Partia Popullore Socialiste e Malit të Zi nuk kanë mbështetur dje në Kuvend rritjen me 50% të përfitimit të fëmijëve dhe as rritjen e pensionit minimal për përfituesit e pensioneve proporcionale në 450 euro”, tha kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Qytetare URA Millosh Konatar.
Konatar pyeti deputetët në Kuvend për kë do të ketë para në Mal të Zi, nëse jo për fëmijët dhe pensionistët?
“Është e pakuptueshme që shumica parlamentare nuk e përkrah rritjen e pensionit minimal për pensionistët proporcionalë, edhe pse në dhjetor të vitit 2023, Kuvendi i Malit të Zi miratoi një konkluzion me të cilin detyrohet Qeveria Spajiq të propozojë rritjen e pensioneve proporcionale deri në fund të marsit 2024, të cilën Qeveria nuk e bëri më shumë se 3 muaj pas skadimit të atij afati, duke mos respektuar vendimin e Kuvendit të Malit të Zi, të cilin e votuan deputetët e qeverisë bashkë me ne të tjerët. Kështu, qeveria e Spajiqit dhe e Mandiqit vazhdon qëndrimin e saj shkatërrues dhe diskriminues ndaj rreth 13 mijë pensionistëve proporcionalë, shumica e të cilëve marrin pensione prej 50 deri në 200 euro, prandaj janë në gjendje shumë të pafavorshme financiare”, tha Konatar.
“Është gjithashtu e pabesueshme që deputetët që mbështetën ligjin që rivendosi shtesat e fëmijëve për të gjithë fëmijët në Mal të Zi, tani janë kundër rritjes së shtesave, edhe pse kostoja e jetesës po rritet çdo ditë dhe po zhvlerëson shumën e shtesave për fëmijë. Për fat të keq për qytetarët e Malit të Zi cirku vazhdon,“ ka theksuar Konatar.