BE NDAU 75 MILIONË EURO PËR PESË PROJEKTE INFRASTRUKTURORE NË MAL TË ZI

Sot, në një takim të mbajtur në Londër, komiteti operativ i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) miratoi gjashtë grante për mbrojtjen e mjedisit dhe energjisë, me një vlerë totale prej 75 milionë euro, për Malin e Zi.

Siç njofton Ministria e Çështjeve Evropiane, në kuadër të kësaj pakete mbështetëse, BE-ja do të ndajë fonde për pesë grante investimi për projekte infrastrukturore në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe një projekt të asistencës teknike për përgatitjen e dokumentacionit të projektit në fushën e energjisë në Mal të Zi.

“Vlera totale e gjashtë investimeve, me bashkëfinancim kombëtar dhe kredi favorizuese, do të arrijë në 171.5 milionë euro. Me zbatimin e këtyre projekteve të rëndësishme, ne do të përmirësojmë sistemin e furnizimit me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza në të gjithë Malin e Zi dhe do të përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë në Kotorr, Tivat, Ulqin, Cetinë, Nikshiq dhe Plevla”, shpjegoi ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq.

Siç theksoi ajo, Mali i Zi do të ketë përfitime të shumta nga këto projekte. Modernizimi dhe zgjerimi i infrastrukturës së furnizimit me ujë do të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit publik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Gjithashtu, parakusht për sukses në sektorin e turizmit është furnizimi i besueshëm me ujë dhe menaxhimi efikas i ujërave të zeza, veçanërisht në destinacionet e njohura turistike, ndaj do të ndihet ndikimi pozitiv në këtë degë ekonomike. Krahas projekteve infrastrukturore, pritet që Mali i Zi të marrë një stimul prej miliona eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në fushën e energjisë”, tha ministrja Gorçeviq.

Sipas saj, marrja e IBAR-it javën e kaluar është një fitore e madhe për Malin e Zi në rrugën e tij evropiane.

“Procesi i integrimit evropian jo vetëm që krijon institucione më të mira dhe një shkallë më të lartë të demokracisë dhe sundimit të ligjit për Malin e Zi, por edhe përfitime konkrete ekonomike”, përfundoi Gorçeviq.

SHARE