JAKSHIQ-STOJANOVIQ: FORMIMI I PARALELEVE BAZUAR VETËM NË RESPEKTIMIN E RREGULLOREVE DHE PARIMEVE PEDAGOGJIKE

Investimi në institucionet arsimore është prioritet i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, sepse vetëm me ngritjen e kapaciteteve të reja dhe përmirësimin e kapaciteteve ekzistuese mund të krijohen parakushtet për reforma të mëtutjeshme, tha ministrja Angjella Jakshiq Stojanoviq.

Në konferencën për media, ajo tha se me marrjen e drejtorisë së arsimit është përballur me shumë probleme, në radhë të parë me infrastrukturën joadekuate të objekteve në të gjitha nivelet e arsimit. Jakshiq Stojanoviq tha se gjendja e tillë e infrastrukturës pengon organizimin e procesit mësimor dhe cilësinë e tij.

“Për këtë arsye, ne kemi përcaktuar se investimi në institucionet arsimore është prioriteti ynë, sepse vetëm nëse ndërtojmë shkolla dhe kopshte të reja dhe përmirësojmë kapacitetet ekzistuese, mund të krijojmë parakushtet e nevojshme për t’iu përgjigjur çdo reforme”, tha Jakshiq Stojanoviq.

Ajo tha se është shpallur tender dhe se në dhjetë ditët e ardhshme pritet të përfundojë procedura për projektin e rindërtimit të nëntë shkollave të mesme në territorin e Malit të Zi.

„Vlera e punëve të planifikuara është rreth gjashtë milionë euro dhe ato duhet të fillojnë këtë verë”, shtoi Jakshiq Stojanoviq.

E pyetur për të ashtuquajturat paralele VIP nëpër shkolla, Jakshiq Stojanoviq tha se të gjitha shkollave u kanë dërguar një letër që me rastin e formimit të paraleleve të merren parasysh parimet pedagogjike.

“Shpresoj se nuk do të ketë drejtorë shkollash që do të kenë qasje të ndryshme. Nëse bëhet fjalë për këtë, inspeksioni arsimor do të konstatojë nëse ka pasur lëshime gjatë formimit të paraleleve”, tha Jakshiq Stojanoviq.

SHARE