Diplomatët në Grupin e Punës për Zgjerim në Këshillin e BE-së kanë rënë dakord për një draft të qëndrimit të përbashkët të BE-së për kapitujt 23 dhe 24, me qëllim mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare me Malin e Zi.
Draft qëndrimi për përmbushjen e kritereve të IBAR-it do t’u prezantohet përfaqësuesve të përhershëm (ambasadorëve) të vendeve anëtare tashmë të enjten, më 20 qershor, kur ata duhet të miratojnë dokumentin.
Në draftin e qëndrimit të përbashkët, në të cilin korrespondenti i RTMZ nga Brukseli kishte qasje, thuhet se Komisioni Evropian, në vlerësimin e përmbushjes së standardeve të përkohshme në kapitujt 23 dhe 24, deklaroi se Mali i Zi, në përgjithësi, përmbushi standardet e përkohshme, arriti një rezultat të mirë në nivelin e përputhshmërisë dhe përparimeve në zbatimin e çështjeve ligjore të BE-së.
Pas marrëveshjes në Këshill, standardet përfundimtare do të përcaktohen në Pozicionin e Përbashkët, i cili do të japë udhëzime të mëtejshme në punën e ardhshme në këta kapituj.
Pas miratimit nga ambasadorët, qëndrimi i përbashkët duhet të konfirmohet nga ministrat.
Pas kësaj pritet mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare me Malin e Zi, e cila është planifikuar për javën e ardhshme.