SPAJIQ NË BERLIN: UKRAINA NUK ËSHTË VETËM, EVROPA ËSHTË E BASHKUAR NË KOHË TË VËSHTIRA

Konflikti i luftës në tokën evropiane ka konfirmuar nevojën për të dhënë një përgjigje të përbashkët, prandaj dua të përsëris se Mali i Zi është plotësisht me Ukrainën, tha në Berlin kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.

„Jam i bindur se të gjithëve do t’u pëlqente shumë më tepër nëse do të ishim mbledhur me një fokus të plotë për të ndihmuar Ukrainën të rimëkëmbet pas përfundimit të luftës, por ndërsa viti i tretë i agresionit rus vazhdon, kjo lloj konference është një shans i vërtetë për tu treguar miqëve tanë nga Ukraina se nuk janë vetëm,“ tha Spajiq.

Kryeministri tha se është i sigurt se konferenca do të sjellë shumë ide të reja, cilësore dhe se nga Berlini do të dëgjohet një mesazh i fortë se Evropa është e bashkuar në këto kohë të vështira.

Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz është i bindur se Ukraina do ta fitojë këtë luftë.

“Ata treguan forcë dhe besnikëri ndaj parimeve evropiane, sepse ata zgjodhën rrugën evropiane dhe ne jemi në atë rrugë me ta. E ardhmja e Ukrainës është në Bashkimin Evropian, e kemi thënë disa ditë pas fillimit të agresionit rus dhe i qëndrojmë asaj edhe sot”, tha Scholz.

Udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelenskiy theksoi nevojën për të ndihmuar në sigurimin e stabilitetit të burimeve të energjisë, të cilat janë një objektiv i vazhdueshëm i sulmeve ruse, sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kjo luftë ka më shumë beteja, ato në front, por duhet të mendojmë edhe për kushtet ekonomike, në mënyrë që ukrainasve t’u mundësohet një jetë normale. Ne duhet të tregojmë se Rusia nuk mund të shkaktojë ndërprerje të burimeve të energjisë, sa herë të dojë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të shfrytëzojmë potencialin e Ukrainës duke përdorur teknologji moderne dhe në këtë mënyrë të sigurojmë burimet e nevojshme të energjisë”, theksoi Zelensky.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se tashmë janë zotuar gjashtë miliardë euro ndihmë, por gjithashtu se BE-ja do të afirmojë në mënyrë specifike investimet e sektorit privat për të përshpejtuar modernizimin e ekonomisë ukrainase, e cila do të jetë vendimtare për rimëkëmbjen e shteteve.  

SHARE