KE-ja REKOMANDON HAPJEN E BISEDIMEVE TË ANËTARËSIMIT ME UKRAINËN DHE MOLDAVINË

Komisioni Evropian (KE) ka rekomanduar të premten hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, duke thënë se ato janë përgatitura mjaftueshëm për hapjen formale të procesit për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian (BE).

KE-ja u tha ambasadorëve të BE-së se Kievi dhe Kishinjevi i kanë përmbushur plotësisht hapat e nevojshëm në reforma për t’i filluar bisedimet zyrtare.

“Ne konsiderojmë se të gjitha hapat janë plotësuar nga këto dy vende”, tha një zëdhënëse e komisionit për gazetarë të premten.

“Tani vendimi u takon vendeve anëtare”, shtoi ajo.

Në rastin e Ukrainës, bërja e reformave përfshiu luftën kundër korrupsionit, demokratizimi, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, thanë zyrtarët për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Moldavia i ka plotësuar kriteret për reforma në gjyqësor, demokratizim, dhe në luftën kundër korrupsionit, thanë zyrtarët.

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, e ka lavdëruar vendimin e komisionit.

“Falëminderit për vlerësimin pozitiv të përparimit tonë drejt integrimit evropian. Njoftimi i KE-së thekson se Ukraina po vazhdon përpjekjet sistematike për t’iu bashkuara BE-së dhe se i ka përmbushur të gjitha reformat shtesë”, tha Shmyhal.

Ai shtoi se Kievi është duke pritur tani për hapin e radhës nga partnerët e vet evropian – nisjen zyrtarisht të bisedimeve të anëtarësimit këtë muaj.

“Populli ukrainas po e zgjedh çdo ditë të drejtën për të qenë pjesë e familjes evropiane në luftë kundër agresorit rus”, shtoi ai.

Brukseli po i nxit këto dy vende ta vazhdojë rrugën e tyre drejt Evropës, para periudhës tranzitore në bllok, i cili do ta zgjedhë Parlamentin e ri në zgjedhjet e kësaj fundjave.

Blloku me 27 vende anëtare do ta ketë edhe një komision të ri, dhe do të udhëhiqet prej Hungarisë nga muaji i ardhshëm deri në fund të këtij viti. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka marrëdhënie miqësore me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe sistematikisht i ka kundërshtuar apo minuar vendimet e BE-së për ta sanksionuar Moskën për pushtimin e Ukrainës.

Ukraina dhe Moldavia aplikuan për t’iu bashkuar BE-së pak pasi filloi pushtimi, ndërsa statusin e vendit kandidat e morën në qershor 2022.

SHARE