PRESIDENTI MILLATOVIQ VIZITË ZYRTARE NË KOMUNËN E GUCISË

Presidenti  i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, me ftesë të kryetarit të komunës, Sanell Balliq, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në komunën e Gucisë.

Në bisedë me kryetarin e komunës dhe menaxhmentin komunal, ai u njoftua për sfidat e shumta me të cilat po përballet kjo komunë.

Presidenti Millatoviq theksoi se potencialet natyrore që i posedon komuna e Gucisë nuk janë shfrytëzuar në mënyrë adekuate, gjë që duhet të jetë prioritet për vendimmarrësit në periudhën e ardhshme.

Në këtë drejtim, ai theksoi se përmirësimi i infrastrukturës së transportit, nëpërmjet përfshirjes së projekteve kyçe në buxhetin kapital të shtetit, do të ishte një stimul i rëndësishëm për valorizimin e potencialit turistik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të gjithë banorëve të këtij rajoni.

Në këtë mënyrë, siç tha ai, do të krijohen kushte për një zhvillim më të shpejtë të kësaj komune, nga e cila të rinjtë nuk dotë largohen, por do të kthehen dhe do të kontribuojnë në përparimin e përgjithshëm të vendit tonë.

Kryetari i komunës së Gucisë falënderoi Presidentin për vizitën dhe theksoi se është i nevojshëm një angazhim më i madh dhe mbështetje më e vendosur e qeverisë së shtetit, gjë që do të ishte e një rëndësie të madhe për prosperitetin dhe zhvillimin e ardhshëm të kësaj komune.

Millatoviq po ashtu theksoi se kjo komunë po dëshmon në mënyrën më të bukur harmoninë dhe bashkëjetesën multikonfesionale dhe multietnike për të cilën kujdesen banorët e këtij rajoni.

Ai tha se vetëm Mali i Zi, i bashkuar në diversitet dhe në të cilin respekti, solidariteti dhe barazia janë vlera themelore, mund të hyjë në një të ardhme më të sigurt dhe të arrijë prosperitet social dhe ekonomik.

Gjatë vizitës së tij në Guci, Presidenti Millatoviq vizitoi dhomën e Gucisë dhe objektet fetare të tri konfesioneve tradicionale, ndërsa vizitën e mbylli me një bisedë me biznesmenë dhe të rinj nga kjo komunë.

SHARE