Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, tha të mërkurën në Tetovë se Fronti Evropian është përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe jo koalicioni VLEN, që tani është pjesë e shumicës së re parlamentare dhe pritet të jetë pjesë e Qeverisë së re.
Ahmeti tha se BDI-ja dhe Fronti Evropian janë përfaqësues legjitimë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, andaj edhe paralajmëroi “aktivitete për mbrojtjen e votës së shqiptarëve”.
Në paraqitjen para mediave së bashku me drejtuesit e Frontit Evropian që përbëhet nga disa parti shqiptare dhe katër parti të etniteteve tjera, Ahmeti tha se çdo përpjekje për të “shkelur në vullnetin e shqiptarëve dhe të komuniteteve tjera, do të kundërshtohet fuqishëm nga Fronti Evropian”.
Në bazë të rezultateve të KSHZ-së, në zgjedhjet parlamentare më 8 maj, Fronti Evropian ka fituar 18 mandate të deputetëve, kurse koalicioni VLEN, 14.
“Vota juaj nuk guxon të shkojë huq dhe ne jemi këtu bashkë me ju që t’i prijmë fitores suaj dhe ta zbatojmë vullnetin tuaj si fitimtarë”, tha Ahmeti duke mos sqaruar se çfarë masash do të ndërmerren në mbrojtje të asaj që ai e quan “legjitimitet i shqiptarëve”.
Por, drejtuesit e koalicionit VLEN, gjithashtu, pretendojnë se janë përfaqësues legjitimë pasi thonë se ka fituar “vota të pastra shqiptare” kundrejt Frontit Evropian që në zgjedhje ka marrë vota edhe nga bashkësitë tjera etnike.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se opinioni me kohë do të njoftohet me masat që do të ndërmerren, duke theksuar se do të shfrytëzohen të gjithë “mekanizmat” për mbrojtjen e “fitores” në zgjedhjet e 8 majit.