‘NATO DHE EVROPA PO LUAN ME ZJARRIN!’ PUTIN PARALAJMËRON: PO SHKOJMË DREJT LUFTËS BOTËRORE

Presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi Perëndimin të martën se anëtarët e NATO-s në Evropë po luajnë me zjarrin duke propozuar lejimin e Ukrainës që të përdorë armë perëndimore për të goditur thellë brenda Rusisë, gjë që ai tha se mund të shkaktojë një konflikt botëror.

Kur kanë kaluar më shumë se dy vjet nga konflikti më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, Presidenti Putin po flet gjithnjë e më shumë mbi rrezikun e një konflikti shumë më të gjerë global, ndërsa Perëndimi gjendet përballë pikëpyetjes se çfarë duhet bërë lidhur me përparimin e trupave ruse në Ukrainë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i tha gazetës britanike “The Economist” se anëtarët e aleancës duhet ta lejojnë Ukrainën që të godasë brenda Rusisë me armë perëndimore, pikëpamje e mbështetur nga disa vende anëtare të NATO-s, por jo nga Shtetet e Bashkuara.

“Përshkallëzimi i vazhdueshëm mund të shkaktojë pasoja të rënda. Nëse këto pasoja të rënda ndodhin në Evropë, si do të sillen Shtetet e Bashkuara, duke patur parasysh barazinë tonë në fushën e armëve strategjike? Është e vështirë të thuhet nëse ata duan një konflikt global .

Presidenti rus tha se sulmet ukrainase ndaj Rusisë me armë me rreze të gjatë veprimi do të kishin nevojë për ndihmë satelitore, zbulimi dhe ushtarake perëndimore, kështu që Perëndimi do të përfshihej drejtpërdrejt.

Ai tha se dërgimi i trupave franceze në Ukrainë do të ishte hap drejt një konflikti global.

Duke folur për anëtarët e NATO-s, Putin tha se vendet e vogla në Evropë “duhet të jenë të vetëdijshme se me çfarë po luajnë”, pasi ato kanë sipërfaqe të vogla tokësore me popullsi shumë të dendur.

“Ky është një faktor që ata duhet ta kenë parasysh përpara se të flasin për goditje në thellësi të territorit rus”, tha Putin.

SHARE