POLONIA PËRGATITET PËR LUFTË, MINISTRI I MBROJTJES: INVESTOJMË MILIARDA PËR “MBUROJËN LINDORE”

Polonia po përgatitet gjithmonë e më shumë për një agresion të mundshëm të Rusisë.

Ministri polak i mbrojtjes Wadislav Kosiniak-Kamysz njoftoi angazhimin në programin “Mburoja Lindore”, operacioni më i madh për përforcimin e kufirit lindor të Polonisë dhe në të njëjtën kohë edhe krahun lindor të NATO-s që nga viti 1945. Polonia, u shpreh ai, dëshiron të investojë miliarda për fortifikimin e kufirit të saj lindor për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme. Me këtë program Polonia reagon ndaj agresionit rus dhe luftës në Ukrainë, që po vazhdon prej më shumë se dy vjetësh.

“Polonia planifikon ngritjen e fortifikimeve dhe vendosjen e pengesave të llojeve të ndryshme në kufi, por edhe instalimin e sistemeve moderne për mbikëqyrjen e trafikut ajror në çdo parametër dhe në çdo lartësi. Ne kemi 700 kilometra kufi për të siguruar, 400 kilometra prej të cilëve janë me Bjellorusinë”, tha Kamysz.

Në sistemin mbrojtës një rol vendimtar do të luajnë pajisjet dhe impiantet për mbrojtjen nga sulmet me dronë, sqaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Polake, Vieslav Kukula. Kufiri i Polonisë është edhe kufi i jashtëm i BE-së. Zbatimi i masave fortifikuese pritet të fillojë këtë vit. Fortifikimi i kufirit pritet të kushtojë 2.3 miliardë euro. Polonia llogarit që për këtë projekt të marrë edhe ndihma nga Bashkimi Europian.

SHARE