QEVERIA E RE MAQEDONASE DREJT FORMIMIT, KRYETARI I KUVENDIT PRITET TË JETË SHQIPTAR

VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i katër partive politike shqiptare, VLEN, thonë se kanë përfunduar bisedimet për bashkëqeverisje dhe për ndarjen e posteve ministrore në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, por marrëveshja nuk do të bëhet e ditur pa mbylljen e bisedimeve edhe me lëvizjen ZNAM, një parti që pritet gjithashtu të jetë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm.

Bazuar në prononcimet e zyrtarëve të VMRO DPMNE-së, marrëveshja do të bëhet e ditur pas konstituimit të Kuvendit të ri, më 28 maj. Pas mbledhjes së Kuvendit, kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickovski, në afat prej 10 ditësh duhet të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re nga presidentja e shtetit, Gordana Silanovska-Davkova.

“Bisedimet janë në një fazë të avancuar, por ende nuk kemi marrëveshje finale dhe derisa nuk e kemi një gjë të tillë, nuk do të mund të japim detaje. Bisedimet po zhvillohen për të gjitha çështjet, ndarjen e resorëve, por mbi të gjitha, për kuadrot që duhet të jenë të pranueshëm dhe të gatshëm të punojnë mbi parimet bazë të punës së Qeverisë së re”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

SHARE