Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, në një konferencë për media tha se linja detare Budva – Dubrovnik është një kontribut për lidhjen e Malit të Zi me BE-në.
Në konferencë u bë e ditur se linja detare Budva – Dubrovnik do të fillojë më 29 qershor.
Çmimi i një bilete në një drejtim do të jetë afërsisht 55 euro, ndërsa një biletë vajtje-ardhje do të jetë 69 euro.
Trafiku do të operohet dy herë në ditë.
„Transporti detar do të ndihmojë në lehtësimin e situatës në bllokimet e trafikut, veçanërisht pranë Herceg Novit. Mendojmë se ky është një kontribut për lidhjen e mëtejshme të Malit të Zi me Bashkimin Evropian,“ theksoi Spajiq.
Ai shtoi se po punohet edhe për lidhjen e linjës së dytë Tivar – Ankona dhe se janë të orientuar drejt diasporës dhe turistëve nga veriu i Italisë.
Sipas tij, me shumë gjasa do të lansohet më 3 korrik.
“Ky është një lajm shumë i rëndësishëm, para së gjithash për ofertën turistike të Malit të Zi, do të thosha edhe Dubrovnikut, por mendoj se Mali i Zi do të ketë një përfitim të madh me lidhjen me Dubrovnikun,“ beson Spajiq.