Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dënoi sjelljen e papërshtatshme gjatë festimit të përfundimit të gjysmëmaturës të nxënësve të shkollës fillore “Vllado Miliq” në Podgoricë, në të cilën për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike shpërtheu zjarri në objektin e shkollës.
Departamenti, i cili udhëhiqet nga Angjella Jakshiq Stojanoviq, falënderoi organet kompetente – Drejtorinë e Policisë dhe Shërbimin e Mbrojtjes dhe Shpëtimit për reagimin e tyre në kohë, falë të cilit nuk pati pasoja të rënda.
“Ministria do të insistojë në përcaktimin adekuat të përgjegjësisë dhe sanksionimin e të gjithë pjesëmarrësve në këtë incident. Apelojmë tek organet kompetente që të ashpërsojnë politikën penale sepse është koha për këtë dhe askush nuk ka të drejtë të rrezikojë sigurinë e fëmijëve dhe punonjësve nëpër shkolla dhe të shkatërrojë pronën shtetërore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.