Kroacia sot i dërgoi një notë proteste Malit të Zi në propozimin e kryeparlamentarit Andrija Mandiq se përfaqësuesit politikë të popullit serb do të propozojnë një rezolutë për Jasenovac, si një lloj reagimi ndaj rezolutës për Srebrenicën dërguar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Nota apostrofikon papërshtatshmërinë e manipulimit të viktimave të Jasenovac për qëllime politike, instrumentalizimin e Kroacisë për politikën e saj të brendshme dhe i bën thirrje Malit të Zi të përmbahet nga çdo gjë që mund të rrezikojë rrugën e tyre drejt BE-së”, shkruan “Veçernji list”.
Menjëherë pas nisjes së iniciativës në Parlamentin e Malit të Zi, Kroacia ka shprehur mospajtimin e saj tek autoritetet malazeze, duke theksuar se do të monitorojë situatën dhe do të reagojë zyrtarisht.
Kjo ka ndodhur sot, kur u ftua i ngarkuari me punë i Malit të Zi në Ministrinë e Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë dhe iu dorëzua notë proteste për Malin e Zi.
Në lidhje me këtë reagoi ministri i Punëve të Jashtme, Filip Ivanoviq, i cili tha se i ka thënë kolegut kroat Gordan Grliq Radman se ky dikaster qeveritar nuk mund të ndikojë në rezultatet e bisedimeve që janë mbajtur në Kuvend dhe në anën tjetër e bindi se askush në Mal të Zi nuk i lidh krimet në Jasenovac me kolektivitetin e popullit kroat apo me Republikën e Kroacisë.