Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka lëshuar disa prej deklaratave më të ashpra publike deri më tani kundër Izraelit, lidhur me luftën e tij në Gaza.
Kryediplomati amerikan tha se taktikat izraelite kanë prodhuar “një humbje të tmerrshme të jetës së civilëve të pafajshëm”, por nuk kanë arritur të neutralizojnë liderët dhe luftëtarët e Hamasit, gjë që mund të çojë në një kryengritje të qëndrueshme.
Në dy intervista televizive, Blinken theksoi se SHBA beson se forcat izraelite “duhet të largohen nga Gaza”, por po ashtu tha se pret që të shohë plane të besueshme nga Izraeli për sigurinë dhe qeverisjen në këtë territor pasi të përfundojë lufta. Hamasi eshte rishfaqur në disa pjesë të Gazës, tha Blinken, dhe “një veprim i ashpër” nga forcat izraelite në qytetin jugor, Rafah, rrezikon ta lërë aleatin më të afërt të Uashingtonit në Lindjen e Mesme që të përballet “me një kryengritje të qëndrueshme”.
Ai tha se SHBA-ja ka punuar me shtetet arabe dhe të tjerët për javë të tëra për të hartuar “plane të besueshme për sigurinë, për qeverisjen, për rindërtimin” në Gaza, por “nuk kemi parë që një gjë e tillë të bëhet edhe nga Izraeli… Ne duhet ta shohim këtë gjë”-shtoi ai.
Blinken po ashtu tha se për sa kohë që Izraeli hyn më thellë në Gazë, një operacion ushtarak atje “në fillim mund të ketë sukses”, por rrezikon të shkaktojë “dëm të tmerrshëm” te popullata duke mos zgjidhur problemin “që SHBA do ta shohë të zgjidhur”.
E ky problem sipas tij, është fakti që Hamasi të mos mund ta qeverisë sërish Gazën”. Mënyra se si Izraeli po e zhvillon luftën, tha Blinken, ka bërë që vendi të jetë duke trashëguar një kryengritje që do të zgjasë shumë, apo që vakumi të mbushet me kaos dhe anarki.
Blinken po ashtu për herë të parë foli edhe për një raport të prezantuar javën e kaluar në Kongres, që thoshte se armët që i ka dhënë SHBA Izraelit, e që janë përdorur në Gazë, potencialisht kanë shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar.