MILLATOVIQ NË UASHINGTON ME SENATORË DHE KONGRESMENË

Presidenti i vendit, Jakov Millatoviq, javën e ardhshme do të jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të ketë takime me senatorë dhe kongresmenë të shumtë.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e SHBA-së si një partner kyç i politikës së jashtme të Malit të Zi, temat kryesore të takimeve përfshijnë forcimin e partneritetit strategjik midis Malit të Zi dhe SHBA-së, me theks në mbështetjen e SHBA-së për procesin e reformave malazeze,” njoftoi Zyra për Marrëdhënie me Publikun.

Theks i veçantë, siç është paralajmëruar, do t’i kushtohet intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, sundimit të ligjit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik.

“Në të njëjtën kohë, kjo vizitë konfirmon fuqishëm përkushtimin e Malit të Zi për anëtarësim të besueshëm në NATO dhe proceset reformuese në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Interesimi i madh i përfaqësuesve të Kongresit Amerikan në Mal të Zi tregon një mbështetje të fortë për zhvillimin social të vendit tonë, përfshirë agjendën e reformave, demokratizimin dhe integrimin në BE”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të qëndrimit në SHBA, presidenti do të mbajë një leksion në Universitetin John Hopkins – SAIS, do të jetë i ftuar nderi në një seancë speciale të Këshillit Atlantik dhe si kreu më i ri i shtetit të një shteti anëtar të NATO-s, ai do të hapë Samitin e Rinisë së NATO-s që do të mbahet në Florida.

SHARE