Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq iu përgjigj pyetjeve të përfaqësuesve të klubeve parlamentare në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, në kuadër të Orës së Kryeministrit.
Kryeministri Spajiq tha sot se Mali i Zi do të votojë Rezolutën e OKB-së për Srebrenicën.
Ai po ashtu ka theksuar se shumica parlamentare, e udhëhequr nga Lëvizja „Evropa Tani“, tashmë me Marrëveshjen për formimin e Qeverisë e ka përcaktuar qartë se si do të trajtohen prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi.
Prandaj, ai beson se përfaqësuesit politikë të koalicionit „Për të Ardhmen e Malit të Zi“ nuk do të jenë kundërshtarë të qëllimeve të deklaruara, sepse i kanë nënshkruar vetë.
Deputetja e Partisë Popullore Demokratike Maja Vukiçeviq pyeti se kush po e pengon publikimin e të dhënave nga regjistrimi.
Spajiq tha se publikimi i të dhënave nga regjistrimi do të fillojë në gjysmën e dytë të vitit.
Tenderi është në proces, thotë ai, dhe më pas të dhënat do të publikohen radhazi.
“Softueri do t’u mundësojë të gjithëve të kontrollojnë të dhënat e futura,” tha Spajiq.
Kryeministri theksoi se zyrtarët ndërkombëtarë e kanë uruar Malin e Zi për realizimin e suksesshëm të regjistrimit.
Ora e kryeministri zgjati disa orë, ku deputetët patën mundësi që të pyesin kryeministrin Spajiq për çështje të ndryshme që atyre u interesojnë.