Koalicioni “Fillimi i ri” i përbërë nga LQ URA, PD, SD, SDP dhe ASH nuk ekziston më as formalisht, deklaroi kryetari i PD-së Fatmir Gjeka.
Sipas marrëveshjes të nënshkruar aso kohe, më 2 qershor 2022 kanë zgjedhur kryetarin e Komunës, Omer Bajraktarin.
Sipas kësaj marrëveshjeje, postin e kryetarit të Kuvendit dhe atë të kryetarit të Komunës do ta ndërrojnë Forca dhe URA pas dy vjetësh, pra më 2 qershor të këtij viti.
„Duke iu afruar kësaj date, po shohim se një pjesëtar i koalicionit „Fillimi i ri“ ka plane të tjera për Ulqinin, dhe pa u konsultuar me partnerët ka nisur formimin e një shumice të re. Kështu nuk thotë marrëveshja! Përderisa kjo shumicë me plot 12 këshilltarë ka stagnuar në rritje, kryetari Omer Bajraktari në formë të jashtëligjshme ka shkarkuar sekretarët e Komunës që vijnë nga radhët e Forcës,“ ka thënë Nimanbegu. Gjatë këtyre dy viteve të këtij pushteti është arritur të bëhen gjëra madhore për Ulqinin dhe kjo falë stabilitetit dhe kontributit të secilit pjesëtar të koalicionit, tha Nimanbegu, duke shtuar „siç thuhet te ne, suksesi ka shumë nana e faji është jetim.“
Ai shtoi „ne duam ta vazhdojmë trendin e konsolidimit të Ulqinit. Punët e filluara duam t’i mbarojmë.“
„Forca e Re Demokratike dhe Partia Demokratike së bashku duam që të prodhojmë stabilitet, zhvillim ekonomik dhe duam ta kemi çdo qytetar të Ulqinit të kënaqur që jeton në këtë vend. Prandaj, ftoj qytetarët që me qetësi të përcjellim ndërrimin e pushtetit në Komunë dhe të bëhemi gati për sezonin veror. Lidhur me këtë, e ftoj edhe kryetarin në largim të Komunës Omer Bajraktarin që të mbledhë guximin dhe t’i rezistojë urdhërave që i vijnë për ta destabilizuar Ulqinin në prag të sezonit turistik,“ u tha ndër të tjera në deklaratë.
„Forca e Re Demokratike ka qenë dhe do jetë partner stabil për qeverisje të pastër dhe të ndershme. Siç kemi qenë konstruktiv dhe bashkëpunues, kemi njerëz profesionistë që janë dëshmuar në jetën private dhe publike. Nëse miqtë, shokët e partnerët tonë deri dje nga URA kanë mision ngritjen e tensioneve, përçarjeve dhe shamatave në qytet për të ndarë popullin shqiptar dhe për të krijuar kaos në qytet para sezonit veror për interesa të dikujt tjetër, ne do t’i bëjmë ballë në mënyrë demokratike me vullnet politik dhe qytetar,“ theksohet në deklaratën e përbashkët.