Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit Angjella Jakshiq Stojanoviq dhe kryetari i Sindikatës së Arsimit Radomir Bozhoviq nënshkruan sot ndryshimet në Marrëveshjen Kolektive të Degës, me të cilat nga 1 korriku do të rritet paga e punëtorëve në arsim për dhjetë për qind.
Siç njofton Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, me qëllim të përmirësimit të mëtejshëm të statusit të të punësuarve në fushën e arsimit, dhe në përputhje me marrëveshjen ndërmjet Qeverisë dhe Sindikatës së Arsimit, nga 1 shtatori, rritja totale e të ardhurave neto në shuma kumulative do të jetë së paku 17 për qind.
Nga ai dikaster qeveritar, ata përsëritën se rritja totale prej 17 për qind përfshin një rritje bruto dhjetë për qind nga 1 korriku.
“Ndryshimet në Marrëveshje përfshijnë edhe dhënien e mbështetjes financiare për të gjithë punonjësit në arsim që udhëtojnë për në punë jashtë vendbanimit të tyre, deri në 50 për qind të shumës së biletës mujore”, thuhet në deklaratë.
Ministria tha se qëllimi më i rëndësishëm i Qeverisë është përmirësimi i cilësisë së procesit arsimor në të gjitha nivelet.
„Pra, në periudhën e ardhshme do të intensifikojmë aktivitetet që ndër të tjera kanë të bëjnë me punën e vazhdueshme në përmirësimin e pozitës së punëtorëve arsimorë”, përfundon deklarata e Ministrisë.