NË MAL TË ZI REGJISTROHET RASTI I TRETË I FRUTHIT

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka regjistruar sot rastin e tretë me fruth në Mal të Zi.

Siç njofton ISHP, sëmundja është regjistruar te një fëmijë trevjeçar, me banim në komunën e Tivarit, i cili nuk është vaksinuar me asnjë dozë të vaksinës MMR.

“Sipas informacioneve të deritanishme, ky rast i sëmundjes nuk lidhet epidemiologjikisht me rastin e mëparshëm të regjistruar në Tivar. Gjithashtu, për momentin nuk ka asnjë informacion për udhëtimin e fëmijës jashtë Malit të Zi gjatë periudhës së inkubacionit maksimal”, thuhet në deklaratë.

Instituti tha se kërkimet po vazhdojnë për të mbledhur informacione shtesë relevante për të zbuluar burimin e infeksionit dhe për të zvogëluar rrezikun e rasteve të reja.

ISHP u bëri thirrje prindërve që të sjellin pa vonesë fëmijët e tyre për vaksinim.

“Të gjithë fëmijët që kanë mbushur një vjeç dhe nuk kanë kundërindikacione mjekësore të deklaruara me shkrim nga mjeku duhet të marrin dozën e parë të vaksinës së fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) dhe fëmijët që përgatiten të regjistrohen në shkollë si dhe të rriturit duhet të vaksinohen me dy doza të kësaj vaksine”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

SHARE