SCHOLZ: ËSHTË KOHA QË MALI I ZI TË ANËTARËSOHET NË BE

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka takuar sot kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin.

Në konferencën për shtyp pas takimit, Scholz tha se është koha që anëtarësimi i Malit të Zi në BE të realizohet dhe se Mali i Zi është një faktor i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Ardhja juaj konfirmon se ne jemi partnerë të ngushtë, është koha që anëtarësimi të realizohet, sepse premtimi për anëtarësim është bërë para më shumë se 20 vitesh. Perspektivat për Malin e Zi janë të mëdha dhe asnjë vend në rajon nuk po zbaton reforma të tilla. Ai përkushtim ndaj reformave është i rëndësishëm”, theksoi kancelari gjerman.

Ai thotë se Mali i Zi duhet t’i marrë vetë të gjitha vendimet.

“Kjo vlen edhe për reformat e mëtejshme në fushën e drejtësisë, të cilat duhet të zbatohen shpejt”, thotë Scholz.

Ai theksoi vendosmërinë e Gjermanisë për të zhvilluar bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.  

“Këtu përfshin procesin e Berlinit, i cili është motori i bashkëpunimit rajonal. Ne duam ta zgjerojmë dhe thellojmë atë. Më vjen mirë që me këtë rast do të takoj sërish Millojko Spajiqin dhe do të vazhdojmë bisedimet që filluam sot. Mali i Zi është një faktor i rëndësishëm stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe një urë lidhëse”, tha Scholz.

Spajiq tha se Mali i Zi e sheh Gjermaninë si një partner strategjik në rrugën evropiane për përmirësimin e sundimit të ligjit, duke shtuar se është e rëndësishme që Mali i Zi të marrë Raportin mbi përmbushjen e standardeve të përkohshme (IBAR) në qershor.

“Është e rëndësishme që do të kemi një shans për t’u bashkuar me tregun e përbashkët. Pranimi në BE për Malin e Zi nuk është vetëm çështje vlerash, tregu i vetëm është diçka që është shumë e rëndësishme për vendin tonë,” tha Spajiq.

Ai theksoi se Mali i Zi është prijës në procesin e Berlinit, por edhe në integrimet evropiane. Sipas tij, rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë konstatuar dhe se në një kohë të shkurtër është bërë shumë.

Spajiq tha se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është shumë i rëndësishëm për Malin e Zi, sepse, siç tha ai, do të mund t’i bashkohet tregut të madh.

SHARE