NISHIQ: ORARI SHTATËORËSH I PUNËS DERI NË FUND TË VITIT, NUK DO TË SHFUQIZOHET FONDI PIO

Ministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Naida Nishiq, ka bërë të ditur se deri në fund të vitit në Mal të Zi mund të pritet vendosja e orarit shtatëorësh.

E pyetur nëse këtë vit do të futet orari i punës 7-orësh, ministrja Nishiq në emisionin “Link” të Radios së Malit të Zi tha: “Ajo që deklaroi kryeministri Millojko Sajiq në fushatën parazgjedhore do të ndodhë këtë vit”.

Ajo theksoi se nuk do të ketë heqje të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor (PIO).

„Askush nuk e ka përmendur asnjëherë shfuqizimin e Fondit të PIO dhe as nuk do të ndodhë”, tha Nishiq dhe theksoi se të gjitha vendimet nën juridiksionin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale do të merren me pëlqimin e Këshillit Social.

Në atë dikaster qeveritar, siç tha ajo, po punohet në analizën e pjesës që ka të bëjë me pensionet proporcionale.

“Tashmë kemi 34 Marrëveshje të ratifikuara dhe të nënshkruara për sigurimin e detyrueshëm me vende të ndryshme nga rrethina dhe Evropa. Pengesa më e madhe është se ne nuk kishim një marrëveshje të nënshkruar me Shqipërinë dhe të harmonizuar me Bosnje-Hercegovinën. Kjo është e rëndësishme për shkak të shkëmbimit të vazhdueshëm të të dhënave. Marrëveshja me Shqipërinë do të jetë së shpejti për miratim në Kuvend, dhe drafti me Bosnjë-Hercegovinën është rënë dakord. Informatat për këtë do të jenë në qeveri këtë javë dhe më pas qeveria do të më autorizojë që të nënshkruaj këtë marrëveshje të rëndësishme”, tha ministrja Nishiq.

SHARE