Komuna e Tuzit tanimë për vite me radhë organizon një manifestim të quajtur “Vera në Malësi”. Në kuadër të këtij manifestimi mbahet Panairi i Librit.
Viti 2023 ka shënuar edicionin e IV-të të Panairit të Librit, ku për një periudhë katër ditore, shtëpitë botuese në stendat e tyre kanë ekspozuar tituj autorësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë për lexuesit.
Panairi i librit përgjatë 4 ditëve ka mbledhur bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues të shumtë, të cilët njihen me botimet e reja të vitit, diskutojnë mbi problematikat e letërsisë bashkëkohore, përkthimit në gjuhën shqipe dhe shumë çështje të tjera.
Panairi shoqërohet me një serë aktivitetesh promovuese. Ky edicion kishte promovime të librave të ndryshëm si:
Në natën e parë të Panairit u bë promovimi i veprimtarisë së Institutit Albanologjik – Prishtinë, gjegjësisht u prezantuan dy revistat shkencore të Institutit: revista shkencore ,,Gjurmime albanologjike” dhe ,,Gjuha shqipe”.
Në natën e dytë të Panairit u bënë dy promovime.
Promovimi i parë ishte përmbledhja me poezi ,,N-teh” e poetes nga Shkodra, Melita Vjerdha.
Më pas u bë promovimi i librit ,,Nevoja për komb” e filozofit të njohur anglez Roger Scruton, i përkthyer nga Albert Bikaj.
Në natën e tretë të Panairit të Librit, u mbajtën dy promovime.
Fillimisht u bë promovimi i librit “Za mjegullor i liqenit n’ag” i autores, poetes së shquar nga Shqipëria, Ledia Dushi.
Më pas, u bë promovimi i veprimtarisë së shkrimtarit të mirënjohur shkodran me banim në Vjenë të Austrisë, Gjergj Jozef Kola.
Shtëpitë botuese duhet të vazhdojnë të ofrojnë për lexuesit shqiptarë, vepra me vlera të veçanta, të cilat do të jenë ndriçuese të vërteta të mendjes dhe rrugës drejt formimit tonë të mirëfilltë si shoqëri dhe komunitet.
Ky publikim është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Medias.
/ Fondi për nxitje të pluralizmit dhe shumëllojshmërisë të mediave /