RAMA: BLINKEN DO TË GJEJË NË TIRANË NJË VEND TË ANGAZHUAR PËR PAQE TË RAJONIT

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do ta gjejë Shqipërinë të angazhuar për paqen dhe stabilitetin e rajonit, kur të zhvillojë një vizitë në këtë vend, javën e ardhshme.

Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Blinken do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani në periudhën 14-17 shkurt.

Kjo vizitë ka për synim që të riafirmojë lidhjet e Uashingtonit me Tiranën.

Rama e ka vlerësuar lart vizitën e kryediplomatit amerikan në vendin e tij, në një periudhë, sipas tij, të trazuar për botën.

Ai e ka rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë ndaj përpjekjeve të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto të fundit, dialogojnë në Bruksel, me ndërmjetësim të bllokut evropian, prej vitit 2011, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.

Ai e ka përmendur, mes tjerash, edhe reformën në drejtësi në Shqipëri, duke thënë se vendi i tij është falënderues për “partneritetin e çmuar të Shteteve të Bashkuara në reformimin historik të sistemit të drejtësisë”.

Në dhjetor të vitit 2019, në Shqipëri është krijuar Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me qëllim të hetimit të korrupsionit në nivelet e larta dhe krimin e organizuar.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se e mbështesin punën e SPAK-ut.

Së fundi është krijuar edhe një ministri e re, ajo për Administratë dhe Anti-Korrupsion, e cila është përgjegjëse për aktivitetet kundër korrupsionit.

Në krye të saj është emëruar Adea Pirdeni, e cila deri më tani ka qenë zëvendësministre e Drejtësisë.

SHARE