Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ndodhet në Davos, ku sot në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror u takua me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, i cili bëri të ditur se është bërë progres në kapitujt 23 dhe 24.
Lajçak përshëndeti formimin e Qeverisë së 44-të dhe vlerësoi se në një kohë të shkurtër janë arritur rezultate të mira dhe theksoi se është e rëndësishme të ruhet momenti si garantues i reformave të mëtejshme dhe progresit të përgjithshëm shoqëror.
Ai ka theksuar veçanërisht rezultatet në fushën e sundimit të ligjit dhe progresin në kapitujt 23 dhe 24.
“Mali i Zi ka një shans për të qenë një histori e suksesshme evropiane,” tha Lajçak.
Spajiq theksoi rëndësinë e stabilitetit politik dhe shtoi se në një kohë të shkurtër janë arritur rezultate mbresëlënëse, falë të cilave është zhbllokuar procesi i integrimit evropian, si dhe procesi i reformave të brendshme që çojnë në forcimin e standardeve të qytetarëve.
“Qeveria drejton me sukses procesin e integrimit bazuar në stabilitetin politik dhe një dialog të gjerë social në të cilin marrim të gjitha vendimet e rëndësishme, si regjistrimi, miratimi i një buxheti të përgjegjshëm fiskal, shmangia e përfshirjes së Malit të Zi në listën gri të Moneyval dhe të shumë çështje të tjera”, tha Spajiq.
Bashkëbiseduesit pajtohen se marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor duhet të shikohen nga prizmi i së ardhmes evropiane dhe se zgjidhjet për çështjet e mundshme të hapura duhet të kërkohen përmes dialogut në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Në këtë drejtim, u vlerësua se Mali i Zi ka një rol të rëndësishëm koheziv dhe si i tillë është një partner i besueshëm për komunitetin ndërkombëtar.