Amendamentet në Ligjin për Komunikimet Elektronike nuk janë në përputhje me obligimet e Malit të Zi nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), tha Delegacioni i BE-së në Podgoricë dhe i bëri thirrje shumicës parlamentare që të mos miratojë ligjin pa u konsultuar me Komisionin Evropian.
Parlamenti i Malit të Zi miratoi ndryshimet në Ligjin për komunikimet elektronike më 29 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.
Delegacioni i BE-së tha për Vijesti, nëse ato do të hynin në fuqi, këto amendamente do të përbënin një rrezik serioz për të cenuar pavarësinë e Agjencisë për Komunikime Elektronike dhe Shërbime Postare dhe do të largonin Malin e Zi nga mbyllja e përkohshme e Kapitullit 10.
“Ne presim që Mali i Zi të përmbushë obligimet e tij në kryerjen e konsultimeve të nevojshme me KE-në para miratimit të të gjitha akteve legjislative që duhet të harmonizohen me çështjet ligjore të BE-së”, tha Delegacioni i BE-së.
Ata i bënë thirrje shumicës parlamentare që të përmbahet nga propozimi i çdo ligji që prek statusin dhe funksionimin e organeve të pavarura rregullatore, përfshirë Agjencinë për Komunikime Elektronike dhe Shërbime Postare, pa konsultim paraprak me shërbimet përkatëse të KE-së, në mënyrë që të sigurohet përputhshmëria e plotë e legjislacionit të tillë me çështjet ligjore të BE-së.