MANDIQ: RIVOTIMI I LIGJEVE TË KTHYERA MË 19 JANAR

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Andrija Mandiq ka bërë të ditur se më 19 janar do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku sërish do të votohet për tre ligjet që presidenti Jakov Millatoviq nuk i ka nënshkruar.

“Pas vendimit të Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, që tri ligje t’i kthejë për rishqyrtim Kuvendit të Malit të Zi, shumica parlamentare ka rinovuar dy ligje të propozuara nga një grup deputetësh, ndërsa Qeveria e Malit të Zi ka ripërtërirë kërkesën për ligjin e të cilit ka qenë propozuese. Seanca e Kuvendit do të mbahet më 19 janar, pra në kohën më të shkurtër të mundshme që parashikon Rregullorja e Kuvendit dhe në të deputetët do të shprehin edhe një herë qëndrimet e tyre për ligjet e dhëna. Pasi që këto tre ligje kaluan tre lexime, kaluan nëpër komisionet kompetente të Kuvendit, më duhet të konstatoj se, ndryshe nga presidenti i Malit të Zi, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit nuk kanë vërejtur ndonjë mangësi në lidhje me këto ligje”, tha Mandiq.

Siç tha ai, deputetët do të kenë mundësi të votojnë sërish për ligjet e kthyera dhe “me këtë akt do të përcaktohen qartë në raport me vendimin e presidentit të Malit të Zi”.

“Më në fund Mali i Zi ka një Gjykatë Kushtetuese që punon në përbërje të plotë dhe është e vetmja kompetente për të vlerësuar nëse një ligj është në përputhje me Kushtetutën apo jo. Për zhvillimin e demokracisë në Mal të Zi është shumë i dobishëm që çdo institucion të bëjë punën e tij me përgjegjësi. Parlamenti miraton Kushtetutën dhe ligjet, Qeveria udhëheq politikën e këtij vendi dhe Gjykata Kushtetuese vlerëson pajtueshmërinë e ligjeve dhe rregulloreve tjera dhe akteve të përgjithshme me Kushtetutën dhe ligjet”, përfundoi kryetari i Kuvendit.

SHARE