SERBIA I REFUZON KËRKESËN MINISTRIT TË BRENDSHËM TË KOSOVËS PËR VIZITË NË LUGINËN E PRESHEVËS

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka deklaruar se institucionet e Serbisë ia kanë refuzuar kërkesën për të bërë vizitë në Luginën e Preshevës.

Nëpërmjet rrjeteve sociale, ministri Sveçla tha se ndalimi i vizitës së tij dëshmon qasjen destruktive të Serbisë dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës dhe ka thënë se për këtë do të veprojnë mbi parimin e reciprocitetit si vlerë e barazisë.

Ai tha se ka aplikuar për leje për të zhvilluar vizitë në Serbi përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës tek zyra ndërlidhëse në Serbi.

“Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye shpjegim. Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës”, theksoi Sveçla.

Ai tha se ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, “nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës”. Sipas Sveçlës, po ashtu refuzimi nuk do të zbehë qëllimin e tij për realizimin e vizitës në Luginë të Preshevës për të ndarë me shqiptarët shqetësimet dhe padrejtësitë me të cilat po ballafaqohen ata.

“Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”, theksoi Sveçla.

Ministri kosovar tha se ka pranuar ftesë më datë 29 dhjetor nga Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku, sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

SHARE