KQZ-ja PEZULLON DY PARTI POLITIKE NË KOSOVË

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës pezulloi Partinë Socialdemokrate (PSD) dhe Lëvizjen për Bashkëveprim, pasi ato nuk i mbajtën kuvendet e tyre zgjedhore sipas afatit ligjor.

Vendimi është marrë të mërkurën më 27 dhjetor në mbledhjen e KQZ-së ku u bë e ditur se të dy partitë kanë nga 45 ditë afat shtesë për të kryer obligimet ligjore.

Sipas Rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ merr vendim për çregjistrim nga regjistri i partive politike në Kosovë nëse partitë nuk përmbushin obligimet e tyre ligjore edhe pas afatit shtesë prej 45 ditësh.

Vendimi për pezullim, sipas kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj është “qasje shantazhuese dhe e dëmshme për organizimin politik”,

Ai tha se Kuvendi i PSD-së pritet të mbahet më 28 janar dhe sipas tij për këtë është njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Procedimin me pezullim nuk mund ta shohim ndryshe pos si dashakeqësi ndaj PSD-së. Një qasje e tillë formaliste e shantazhuese është e dëmshme për organizimin politik dhe s’duhet të pranohet në asnjë mënyrë”, shkroi Molliqaj në Facebook.

Vendimi i KQZ-së vjen pas rekomandimet e Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike (ZRCKFPP).

Sipas KQZ-së, afati i fundit për mbajtjen e kuvendit zgjedhor për Partinë Socialdemokrate ka qenë më 15 dhjetor 2023, ndërsa për partinë politike Lëvizja për Bashkëveprim ka qenë data 8 dhjetor 2023.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë përcakton që të gjitha partitë politike të regjistruara janë të obliguara që të mbajnë kuvendin zgjedhor brenda gjashtë muajve nga data e regjistrimit të partive dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.

SHARE