Parlamenti i Malit të Zi miratoi ndryshimet në Ligjin për Mbështetjen e Përkohshme të Fëmijëve, qëllimi i të cilit është zhbllokimi dhe vënia në funksion e Fondit të Alimentimit.
Propozimi për ndryshime është dorëzuar në procedurë parlamentare nga grupi parlamentar i Lëvizjes Qytetare URA.
Deputetja e LQ URA, Ana Novakoviq Gjuroviq, tha se qëllimi i ndryshimeve është zhbllokimi i Fondit të Alimentimit dhe në këtë mënyrë të ndihmohet një nga kategoritë më të cenueshme të popullsisë, fëmijët të cilët janë të neglizhuar nga prindërit e papërgjegjshëm, si dhe prindërit e vetëm.
Gjatë diskutimit, Gjuroviq përkujtoi se Ligji është miratuar me iniciativën e Klubit të Grave të mbledhjes së mëparshme të Kuvendit dhe se pas disa muajsh, institucionet kompetente kanë vërejtur zbrazëti të caktuara ligjore.
Siç tha ajo, problemi ishte se vendimet merreshin me fuqi prapavepruese, gjë që nuk ishte kuptimi i ligjit.
Sipas Novakoviq Gjuroviq, problem ishte edhe se qendrat për punë sociale e interpretuan ndryshe dokumentacionin si dëshmi për plotësimin e kushteve për shfrytëzimin e mjeteve nga Fondi i Alimentimit.
Ministria e Financave, në bazë të mendimit të Mbrojtësit të Interesave Pronësore dhe Juridike të Malit të Zi, ka nxjerrë vendim dhe udhëzim që mjetet nga Fondi nuk mund të paguhen më në këtë mënyrë.
Që nga shkurti i këtij viti, fëmijët dhe prindërit nuk kanë mundur të ushtrojnë të drejtat e tyre nga ky ligj.