Ndërsa dhjetëra konflikte kanë grabitur pa mëshirë të ardhmen e dhjetëra mijëra fëmijëve, viti 2023 do të mbahet mend si “një nga vitet më të vështira” sipas UNICEF.
Një faktor tjetër që e bëri 2023-shin një nga më të vështirët ishte financimi i pamjaftueshëm nga aktorët humanitarë, duke lënë në mëshirë të fatit miliona fëmijë, veçanërisht në zonat e konfliktit të vazhdueshëm. Në Sudan dhe Haiti, ka raporte për rrëmbime dhe përdhunime të vajzave dhe shqetësimet janë ngritur për trafikimin e personave, veçanërisht grave dhe fëmijëve.
“Viti 2023 ka qenë një nga vitet më të vështira për fëmijët në mbarë botën. Së pari është dhuna e tmerrshme dhe e paprecedentë që po ndodh së fundmi në Gaza,” thuhet në raportin e UNICEF.
Në Gaza, përqindja e fëmijëve të vrarë është mbi 40% dhe kjo është dyfishi i asaj që agjencitë e ndihmës kanë parë në mbi 40 konflikte në mbarë botën. Fëmijët po vdesin në një shkallë alarmante dhe më shumë se 1.7 milionë njerëz në Rripin e Gazës janë zhvendosur ku gjysma e tyre janë vetëm fëmijë. Ata nuk kanë akses të mjaftueshëm në ujë, ushqim, karburant dhe ilaçe.
Sipas UNICEF kriza në Gaza është një njollë në vetëdijen e komunitetit ndërkombëtar ku konflikti po dëmton psikologjikisht fëmijët, ku klima po shkakton zhvendosje në rritje dhe ku sistemi humanitar po cënohet rëndë.
Në vitin 2023, UNICEF-i bëri thirrje për 10.3 miliardë Dollarë fonde emergjente për më shumë se 110 milionë fëmijë, përfshirë 54 milionë vajza dhe 10 milionë fëmijë me aftësi të kufizuara në 155 vende. Apeli u fokusua në krizat e mëdha duke përfshirë në Haiti, Sahel, Republikën Demokratike të Kongos, Pakistanin, Ukrainën, Sudanin, Ugandën, Afganistanin, Mianmarin etj.