Sindikata e Arsimit të Malit të Zi do të organizojë të mërkurën një protestë para Kuvendit të Malit të Zi për shkak të shkeljes së Marrëveshjes Kolektive të Degës, siç u njoftua në konferencë për media.
Është bërë e ditur se protesta do të fillojë në orën 11:55.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit Radomir Bozhoviq tha se Bordi Kryesor i Sindikatës ka vendosur të protestojë, pas vendimit të Qeverisë që në buxhetin për vitin e ardhshëm të mos planifikojë mjete për pagat e punëtorëve në arsim në përputhje me Marrëveshjen Kolektive të Degës.
Ai ftoi të gjithë punonjësit e arsimit, jo vetëm anëtarët e Sindikatës që të dalin në protestë.
Ai përkujtoi se vitin e kaluar kanë nënshkruar Marrëveshjen Kolektive të Degës, e cila parasheh rritje të koeficienteve për të punësuarit në arsim.
“Ne vetëm kërkojmë që të përmbushet ajo që është nënshkruar. Kërkojmë që Qeveria të mos e shkelë dinjitetin e puntorëve të arsimit. Do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtën tonë të fituar”, tha Bozhoviq.