TENSIONET NË VERI, OSMANI: PO MARRIM MASA, TË GATSHËM PËR ÇDO SKENAR TË SERBISË

Kosova do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial.

Duke iu referuar tensioneve në veri, dhe mundësisë për një destabilizim të ri të situatës, të artikuluar gjithmonë e më shumë këto kohët e fundit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani garantoi se vigjilenca e Prishtinës është maksimale.

“Të gjitha këto vlerësime i kam bërë gjatë fjalimit të fundvitit dhe natyrisht që jam në kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë dhe njëkohësisht me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që t’i ndërmarrim masa për ta mbrojtur Kosovën, integritetin tonë territorial dhe sovranitetin. Serbia nuk është që mendon mirë, nuk është që planifikon mirë dhe më e rëndësishme është që ne jemi të gatshëm për çdo skenar”, u shpreh Osmani.

Ajo dha sqarime edhe për takimin me opozitën, duke përcjellë mesazhe solidariteti në të mirë të qytetarëve.

“Nuk ka pasur anulim. Siç edhe e kanë njoftuar nga Zyra ime ka qenë çështje disa minutëshe, çështje protokollare dhe natyrisht se dera e Presidencës është gjithnjë e hapur siç ka qenë deri më tani, në mënyrë që takimet me partitë opozitare të diskutojmë dhe t’i marrim parasysh qëndrimet e tyre dhe për aq sa është e mundshme t’i përfshijmë në qëndrimet institucionale e Republikës së Kosovës. Natyrisht që kur ata dëshirojnë që të takohemi, në mënyrë t’i unifikojmë qëndrimet për këto tema që janë të rëndësishme për qytetarët dhe për të ardhmen e vendit tonë, si presidente e vendit jam e gatshme”, tha Osmani.

SHARE