Qeveria dhe Sindikata e Arsimit nuk arritën të bien dakord për rritjen e pagave, e cila, siç pretendon organizata e punës, garantohet me Marrëveshjen Kolektive të Degës nga 1 janari 2024.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Radomir Bozhoviq, tha se përfaqësuesit e Qeverisë nuk i kanë marrë parasysh argumentet e asaj organizate.
“Gjithë kohën e kanë bartur përgjegjësinë tek qeveria e kaluar dhe për të gjitha argumentet tona janë përgjigjur se duhet të bëjmë durim, po ashtu kanë bërë të ditur se kontrata kolektive e degës që kemi nënshkruar ka disa mangësi, që gjoja ua pamundëson rritjen e pagave siç është rënë dakord”, tha ai për “Vijesti”.
Sipas fjalëve të tij, në Marrëveshjen Kolektive të Degës ndër të tjera thuhet se rritja “do të konsiderohet shtesë në varësi të parametrave makroekonomikë”.
“Pagat në arsim janë nën mesataren e vendit”, ka theksuar Bozhoviq.
Ai tha gjithashtu se u ka vënë në dukje autoriteteve se vitin e kaluar sindikata tashmë “ka bërë një masë kompromisi me qeverinë” dhe ka rënë dakord të rrisë koeficientët me 45 për qind, por në tre herë ndarasi.
“Nesër do të kemi një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp ku do të sqarojmë të gjitha detajet, por në këtë moment është e sigurtë një padi e 15 mijë pedagogëve që do t’i kushtojë shtetit 20 milionë euro,“ ka thënë Bozhoviq.
Ai po ashtu tha se Sindikata e Arsimit do të mbajë një seancë të Bordit Kryesor ku do të përcaktohen hapat e mëtutjeshëm.
Bozhoviq nuk përjashton protestat e pedagogëve deri në fund të këtij viti, por edhe radikalizimin në fillim të gjysmës së dytë të vitit.